Nga Fatos Çoçoli

Opozita (pakica) jonë kryesore (dy partitë e mëparshme parlamentare) po hyn në pranverën e vetmisë së saj të madhe politike. Duke shpresuar se këtë vetmi do t’ia pakësojnë qytetarët e zhgënjyer nga qeverisja e sotme, që mund të duan të dalin dhe do të vendosin të dalin në protestat e saj. Veprimin e saj kamikaz politik të dorëzimit masiv të mandateve të përfaqësimit në Kuvend nuk ia kanë miratuar asnjë nga partitë politike të djathta të Evropës, që normalisht duhet të ishin në krah të saj. Që janë ofruar me shumë zell për ndihmë dhe presion pozitiv ndaj qeverisë, sa herë pakica jonë u ka folur për zgjedhje të blera, në mënyrë që të ndryshohet kodi zgjedhor dhe të parandalohen blerjet masive të votës. Mirëpo ka ndryshuar puna kur mësuan për veprimin-kamikaz të dorëzimit masiv të mandateve. Asnjëra nga partitë e djathta evropiane nuk është bindur nga lumi i akuzave të saj për qeverisjen dhe kryeministrin e sotëm. Opozita nuk ka mundur të gjejë aleatë ose përkrahës në veprimin e saj, sikundër ndoshta shpresonte disi. “Në ke gjë konkrete, shko denoncoji të gjitha në prokurori”, i kanë thënë. “Po jo, – është përgjigjur pakica jonë – prokurorinë e zotëron shumica në pushtet. Nuk ka asnjë shpresë”. “Atëherë lufto në parlament dhe prit të vijë dita jote në zgjedhjet e përgjithshme”, e kanë këshilluar. Këto këshilla ranë në erë. Prandaj dhe në mbajtje qëndrimi të njëpasnjëshme ditët e fundit, disa përfaqësues të partive të djathta evropiane (një pjesë në pushtet në Evropën Perëndimore) kanë dënuar publikisht dhunën në protestat e opozitës dhe largimin e saj përfundimtar nga parlamenti. Të tjerë kanë shprehur mendimin e tyre negativ ndaj qasjes së pakicës sonë në takime formale ose gjysmë-formale, por pa dalë në publik. Kështu që opozita jonë ka ngelur vetëm në shpresën e qytetarëve. Të zgjimit të tyre për kauzën e saj. Mirëpo, për të larguar nga pushteti kryeministrin e tanishëm, sado i papëlqyer të jetë ai për një pjesë të shqiptarëve, a vallë ia vlen të shkretohen shpresat e një vendi të tërë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për paqe sociale, për ndërtimin e shtetit të së drejtës? “Të gjitha këto do t’i bëj kur të vij unë në pushtet”, thotë pakica jonë. Mirëpo nuk dihet se kur do të mund të vijë kjo pakicë në pushtet. Mund të dojë gjatë, shumë gjatë. Dhe ndërkohë dëmet në imazhin e vendit, në stepjen dhe mosardhjen e investuesve të huaj, në mosardhjen masive të turistëve të huaj, në pakësimin e kredisë së bankave të këtushme për bizneset dhe qytetarët do të ishin të pallogaritshme. Praktikisht do të ndalej rritja ekonomike e vendit, nëse i gjithë ky vit do të vijonte me këtë paqartësi ekstreme politike, me protesta pas protestash dhe rritje tensioni. Dhe e di kush ç’do të thotë të bëhet rritja jonë ekonomike zero? Do të thotë të humbasim 600 milionë euro. E kemi gjithë këtë luks ne, një vend i varfër dhe me njerëz që duan të ikin sa sytë këmbët nga vendi i tyre?! A mund të pranojmë që të humbasim gjasat e rritjes normale ekonomike, për pakicën tonë politike që është vetëlarguar nga roli i saj i natyrshëm në shoqëri dhe ka marre trajtat e Çe Guevarrës (revolucionarit-komit të famshëm të Kubës dhe Amerikës Latine? Çfarë do të mund të na ndihmojë kjo pakicë në këtë gjendje ku ndodhet, në rrugë? Ku do të mund ta gjejmë një pakicë konstruktive që të mbajë nën presion qeverinë? Në rrugë opozita mundet vetëm të protestojë. Por, edhe sikur të vijojë të protestojë pa hedhur shashka, bomba molotov dhe pa shkatërruar pronë publike, asnjë protestë e saj nuk do të mund të lexohej e sigurt nga investues seriozë të huaj, që do të donin të vinin në Shqipëri. Kjo për faktin e thjeshtë se opozita tashmë është jashtë parlamentit, jashtë rregullave të hekurta të lojës demokratike. Ndodhet në tokën e askujt. Aty ka fituar tapinë e pasigurisë ekstreme për vendin. Shpresa e saj e vetme janë qytetarët. Dhe jo katër mijë apo dhjetë mijë, po të arrijë sërish t’i mbledhë kaq. Opozita nuk ngelet e vetme, vetëm nëse më shumë se gjysma e qytetarëve të këtij vendi që janë këtu e mendojnë si ajo. Kjo ngjan si mision i pamundur, pavarësisht të një milion e një pakënaqësive ndaj kësaj qeverisjeje të sotme arrogante e të vetëkënaqur. Qeverisje me drejtues vendorë të lidhur me fije të dyshimta me të fortë krahinorë, përfaqësues të trafiqeve të paligjshme. Qeverisje me njëmijë lidhje të vjetra e të reja me kompani mbizotëruese në tregun tonë, që kanë shkretuar garën e lirë ekonomike, me një korrupsion të përhapur dhe që gjallon në administratën publike. E me gjithë të gjitha këto faje e të meta të qeverisjes së sotme, me gjithë pakënaqësinë e shtuar të qytetarëve të këtij vendi, opozita, pakica jonë politike duhej të priste orën e saj. Të mos e kërkonte pushtetin jashtë luftës parlamentare. Të mos dilte nga sistemi i sotëm politik, gjoja në emër të ndërtimit të një sistemi të ri më të drejtë nesër. Kjo, sepse sado i metë dhe në dukje i pashpresë të jetë ky sistem, ai prapë se prapë është i pranueshëm nga bota perëndimore ku duam të shkojmë. Sepse quhet demokraci e brishtë, shpesh edhe autoritare, por prapë demokraci është. Daljen nga sistemi politik e ka bërë në Evropë vetëm opozita italiane në vitin 1922, përpara marshimit triumfues të Duçes në Romë. Për të gjitha këto arsye, opozita jonë e vetëdalë nga parlamenti dhe sistemi është e vetme, fare e vetme. Duke i peshuar rëndë në dëmtim të pandreqshëm rritjes sonë të qëndrueshme ekonomike për këtë vit dhe më pas, ajo do të jetojë, së bashku me të gjithë ne vuajtësit prej saj, pranverën e vetmisë së madhe.