Presidenti Ilir Meta është kthyer pas në kohë, 9 vite më parë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë njohu aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Meta thotë se si Ministër i Jashtëm, ai dhe qeveria i asaj kohe bënë më të mirën për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

“Nëntë vite më parë, pretendimit serb mbi paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha fundin e merituar, duke njohur aktin e shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. 

Ky vendim historik ishte njëkohësisht njohje dhe vlerësim ndaj sakrificave sublime të të gjithë atyre që nuk iu nënshtruan spastrimit etnik dhe nuk bënë asnjë kompromis me të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve të Kosovës, për të jetuar të lirë dhe në paqe si të gjithë europianët e tjerë. 

Ishte kënaqësi për mua ta përjetoja këtë moment historik si Ministër i Jashtëm, asokohe i një qeverie që bëri më të mirën për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Kosova  si shtet i lirë dhe i pavarur është realitet i pakthyeshëm që ka kontribuar për më shumë paqe, siguri dhe stabilitet në rajonin tonë”, shkruan Meta.