Artan Lame do të jetë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, institucion që bashkon Hipotekat dhe ALUIZNI-n. Lame u prezantua sot nga zv/kryeministri Erion Braçe, ndërsa të dy nënvizuan idenë se Kadastra do të vijonte suksesin që, sipas tyre, kjo qeveri ka pasur me legalizimet.

Braçe tha se do ta ndjekë personalisht jo vetëm mbarëvajtjen e këtij institucioni por të gjithë koordinimin me institucionet e tjera.

Në fjalën e tij, Lame nënvizoi se çështja e pronave mbetet thembra e Akilit në Shqipëri dhe se zgjidhja nuk do të jetë e lehtë. Por duke marrë shembull legalizimet, Lame u shpreh besimplotë për suksesin e reformës.

“Zgjidhja e çeshtjes së pronësisë mbetet thembra e Akilit sepse njerëzit vazhdojnë të thërën e të vriten për prona. I ftoj qytetarët shqiptarë që siç na ndoqën në reformën e legalizimeve të na ndjekin dhe në ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, vetëm bashkë do t´ia dalim”, u shpreh ai.