Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot kërkesat e PD-së dhe LSI-së për të pasur anëtarë në KZAZ për zgjedhjet lokale të 30 qershorit duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së që u mor pak ditë më parë. PD dhe LSI-së nuk iu lejua që të kenë anëtarë në KZAZ, pasi i kanë bojkotuar zgjedhjet duke mos pasur asnjë kandidat për kryetar bashkie.

Në seancën e zhvilluar në Kolegj, përfaqësuesi ligjor i PD-së tha se opozita ka të drejtë që të ketë komisionerë në KZAZ-të edhe pse ka bojkotuar zgjedhjet. “Në Kod Zgjedhor thuhet se për nivelin e dytë, 2 anëtarë propozohen nga shumica dhe 2 nga forca më e madhe opozitare. Duhet të ketë baraspeshim shumicë dhe opozitë.

Nuk ka asnjë kriter që lidhet me zgjedhjet. Po interpretohet Kodi Zgjedhor nga KQZ sikur e imagjinojnë ato. Nuk ka ndodhur ndonjë herë që KQZ nuk e lexon sikur duhet Kodin. Kodi Zgjedhor ka thënë parti e shumicës parlamentare jo subjekt zgjedhor. Ka një afat që e përcakton Kodi Zgjedhor, nëse nuk bëhet Kodi e ka zgjidhjen, pika 5 ku thuhet nëse nuk sillen kandidaturat KQZ ka të drejtë nga shoqëria civile të fusë kandidatë.

Synojmë të menaxhojmë procesin delikat të procesit zgjedhor. Nuk ka përse procesi të ketë vetëm një anë. Të mbrohet interesi i qytetareve, të atyre që votojmë dhe jo” tha ai. Ndërsa në përfundim të seancës ku u dha edhe vendimi kundër duke rrëzuar kërkesën, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso deklaroi ‘presim vendimin e zbardhur’.