Pas miratimit të ligjit për “Akademinë e Shkencave” në parlament  (81 vota pro, 22 kundër edhe 3 abstenim) Asambleja e Akademisë së Shkencave zhvilloi një mbledhje, duke diskutuar mbi dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, që refuzoi kryetarin e zgjedhur, Skënder Gjinushin, nga zgjedhjet e Asamblesë. Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, në përfundim të kësaj mbledhje që u zhvillua me dyer të mbyllura për mediet, u shpreh se:

“Asambleja u mblodh për vënien në dijeni për dekretin e Presidentit të Republikën, që përmes këtij dekreti refuzonte kryetarin e zgjedhur të ASH-së. Asambleja u shpreh me vendim, duke mbështetur propozimin e Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave, (që përbëhet nga zëvendëskryetari, sekretari shkencor edhe kryetarët e dy seksioneve të shkencave albanologjike edhe të natyrës) për t’i kërkuar institucionit të Presidentit rishqyrtimin e qëndrimit të tij lidhur me kryetarin Akademisë Skënder Gjinushi. Pasi, vendimi i Asamblesë së ASH-së, me pjesëmarrjen e 43 nga 44 akademikë që është në fuqi, edhe për të nuk ka pas as ankimim as kundërshtim, si pranë Akademisë po ashtu edhe pranë institucioneve gjyqësore. Pasi gjykatat janë të vetmet që mund të kundërshtojnë  një vendim, duke qenë se ky vendim është në fuqi, por edhe duke shpresuar se ka ende një hapësirë për rikonsiderimin e rishqyrtimit të dekretit të presidentit, ne në respekt të atij institucioni vendosëm që t’i drejtohemi edhe një herë presidentit për të riparë edhe një herë qëndrimin e tij, për kryetarin e Akademisë së Shkencave”.

Sa i përket argumentit kryesor që Presidenca ka theksuar gjatë mosdekretimit të kryetarit të Akademisë, Skënder Gjinushi, i zgjedhur nga Asambleja, Tole thotë se:
“Nuk flas dot si jurist, por mund të them se institucioni i Presidencës ishte kujdesur që të theksonte faktin, për arsyen e vetme ligjore, që ishte mospërputhshmëria e mandateve në të njëjtën kohë. Pra në atë kohë pretendohet që Gjinishi kishte edhe statusin e Akademik i Rregullt edhe statusin e kryetarit të Partisë. Përmes dokumentacionit që u rishqyrtua edhe një herë në mbledhjen e asamblesë, ne jemi të bindur, që nuk ka qenë kryetar partie prandaj i kërkojmë Presidentit që të rishqyrtojë këtë vendim”.

Por, çfarë parashikon ligji i ri, nëse Presidenti nuk e dekreton as pas kësaj kërkese, kryetarin e zgjedhur nga asambleja, Tole shton se:

“Reagimi i sotëm i Asamblesë në kundërshtim me politikat e ditës është i pjekur edhe institucional. Ndërkohë, që me ligjin e ri, në nenin 11, parashikohen disa nene për situata të ngjashme, në rast se Presidenti e kundërshton sërish. Më në fund në ligjin e ri të Akademisë, ka zgjidhje se si veprohet në raste të tilla. Ligji i ri akoma nuk ka hyrë në fuqi, por nëse nuk gaboj, nëse do të ketë edhe një dekret refuzimi lihet në dorë të Asamblesë shqyrtimi i kësaj. Nëse Asambleja i qëndron vendimit të parë, atëherë kryetari i zgjedhur vazhdon detyrën”.

 Sa i përket debateve që janë bërë për reformim të këtij institucioni prej mëse dy vitesh, duke e konsideruar si një institucion në ngërç, akademiku thekson se:

“Nuk jemi në ngërç. Akademia është përpjekur që gjatë tre viteve të reformës, është përpjekur që të jemi në gjendje të bëjmë reformë edhe të mbajmë në punë edhe institucionin. Kemi një kryesi të zgjedhur, zëvendëskryetari që zëvendëson kryetarin, edhe sekretarët përkatës edhe nuk kemi më boshllëqe në seksionet përkatëse”.

Akademiku Tole ndalet edhe tek rishikimet që janë bërë në ligjin e miratuar.

“Jam i bindur që edhe ato pak sugjerime apo keqkuptime, që ishim krijuar si mbivendosje nga rektorët e universiteteve, ishin çështje që Akademia tashmë do të jetë një institucion i hapur. Edhe me ato që janë miratuar në variantin përfundimtar është respektuar autonomia universitare, edhe ne na është dhënë edhe ne e drejta, që të jemi më të hapur ndaj universiteteve”, shprehet zëvendëskryetari Tole, i cili do të vijojë që të kryejë detyrën e kryetarit, pasi, sipas tij, Akademia nuk është institucion që vendos vetëm njëshi.  

Gjatë këtij takimi i pranishëm ishte edhe akademiku Artan Fuga, i cili përpos që u kërkoi medieve që të jenë prezent në këtë mbledhje gjithashtu ka këmbëngulur, që mos t’i dërgohet një tjetër kërkesë Presidentit të Republikës, Ilir Metës, për rishqyrtim të dekretit.